ArtTematika të tjera

OTELLO – përshkrim nga Ben Blushi

 

Shkruan Ben Blushi (përshkrim):

Kjo mace e zezë që rri mbi një dritare duke marrë rreze dielli quhet Otello. Pasi shijoi për shumë vjet një jetë qejfesh, duke mësuar gjithë sekretet e rrugës, ajo vendosi të jetonte nëpër zyra. Otello rri aq shumë në zyrë saqë mund të konkurrojë burokratët më të zellshëm të Shqipërisë. Nga mëngjesi deri në mbrëmje ajo shtrihet në divan, pastaj zgjohet dhe bën një xhiro nëpër zyrat e mëdha të godinës ku jeton, futet poshtë tavolinave, ngrohet nga kompjuterat, i perdor ekranet e tyre si pasqyrë zbukurimi dhe fërkohet pas këmbëve të karrigeve kur i vjen ora e dashurisë.

Mirëpo jeta e Otellos nuk ka qenë gjithmonë e qetë. Para disa vitesh ajo pati një fatkeqësi që shpjegon vetminë e saj. Për t’iu fshehur qenve të rrugës, një herë Otello shkoi në katin e tretë dhe aty lindi pesë mace të vogla. Meqë në atë kat që nuk përdorej, nuk kishte ushqim dhe askush nuk mund ta ndihmonte dot, Otellos i ngordhën katër kotele njëra pas tjetrës. Të fundit e kapi me dhëmbë dhe bashkë me të u hodh nga kati i tretë. Kotelja e vogël shpëtoi dhe u adoptua nga një cift italian, ndërsa Otello që u mbush me plagë dhe u thye në të gjitha kockat, përfundoi në spital dhe për një muaj mbeti e lidhur me tuba që e furnizonin me oksigjen.

Tani ka ardhur prapë në godinën ku kishte kaq shumë kujtime dhe nuk shkon më në katin e tretë, por rri nëpër zyrat e katit të parë ku e ushqejnë, e pastrojnë dhe e krehin sa herë ka nevojë. Kur njerëzit ikin në shtëpi, Otello shtrihet në divanin e saj dhe kur errësohet del në dritare duke kërkuar kotelet e vogla. Atëherë lëshon një zë të mekur dhe e zë gjumi duke qarë.
Kjo është jeta e Otellos që meqë ra fjala quhet Otello sepse është e zezë dhe kjo është arsyeja që unë e fotografova dhe vendosa të tregoj pak nga jeta e saj e dhimbshme si një kafshë e cuditshme zyrash.

5 3 vota
Vlerëso Artikullin
Subscribe
Njoftohuni për
guest
0 Komente
Inline Feedbacks
Shiko të gjitha komentet