ArtTematika të tjera

Tirana pjesa 1 – reportazh nga B.BASHA

 

Shkruan B.BASHA (reportazh):

Hapat përbuzeshin nga forca e erës. Ishte mëngjes dhe qielli gjysmë i vranur. Tirana kryeqytet ishte shpallur nga Kongresi i Lushnjes në 1920. Po kujtoja Sulejman Bej Delvinën që ishte në krye të qeverisë shqiptare asokohe, nëse do i ngjante pak Tirana me se ç’ka qenë. Një punë e vështirë, më rëndë se moti i ftohtë.

Rreth Tiranës - Visit Tirana

Në sheshin në qendër, hapësira që dukej e pamatë sillte zërat e fëmijëve. Pak më tej disa shëtitës të vjetër dhe direkt përballë Operas. Zhurma që vinte prej tre bareve ngjitur me njëri-tjetrin dukej sikur merrte përpara gjithë turmën. Përkundrazi tingujt ndaheshin dhe bëhej më qetë. Ajo se çfarë më binte në sy ishte dëshira e të veshurit në të dukurit. Krejt komerciale, tipike e një bote të tretë që do ende shekuj për t’u futur në të dytën. Pak kush preferonte të vishte mendjen. Dëshira ballkanase për t’u veshur me sa më shumë mallra të kopjuara, falsitete të rreme turko-kineze ose pseudo dyqane që shesin pseudo veshje dhe ajo se ça ndalte më tepër shikimin make up-e femrash të stërmunduara.

Nuk kishte kaluar shumë nga protesta që po bëhej për të mbrojtur të drejtat për Gazën dhe më drejt për Rafah. Kryesisht besimtarë, një pakicë mes tyre solidarizuar për krimet e dhimbshme mbi civilët Palestinezë. Gjithmonë më pëlqenin njerëzit që suleshin për të drejtat, por Shqipëria dhe roli që mund të jepte për Palestinën…ndonjëherë më duken si guaskat në det-oqeanin e jetës.

Kisha kaluar pranë një kafeneje të kaftë. Ngjyrat e drunjta të Mullirit shkonin me masë me çantat gri të shtegtarëve “cheap” që kishin ardhur nga larg. Kështu si flladi i erës që vet ecën me qetësi, iu bashkova fshehurazi që ta ndiqja pas. Dola afër Sahatit dhe xhamisë së Et’hem Beut. Më pëlqejnë të kundërtat, por jo aq afër. Sazet që binin përballë xhamisë dhe lutjet fisnike që ngrihen nga një Shtëpi e Zotit. Tipike Tirana dhe banorët e saj të hershëm të besimit islam. Kam takuar disa prej tyre aty. Si mirazh në retrospektivë erërat para syve më sjellin ato veshjet tipike të një kohe që ishim ende osmanisht varur. Ishte po këtu rruga që të çonte fiks te “Heroi”. Nuk kishte burrë, politikan, shtet që nuk e admironte Skëndërbeun. Si një hero shenjt qëndronte në qiellin e hapur, por deri më sot më shumë kishin dalë nga linja e Hamzait.

Qeverisja është e të majtëve dhe zhurmat ende vazhdojnë të brohorasin për ta. Zhurmat reflektojnë numra dhe numrat janë parashikuese të zgjedhjeve. Të gjithë e donin dhe urrenin Edi Ramën njëkohësisht. Disa pozicionohen pro, disa kundra, disa i fshehnin ndjesitë.

Muret e bashkisë gjithnjë më vërtitnin në mendje grimca gjaku. Pak kush e di që është bërë një dash kurban në kohën e PD-së për të hequr fatin e zi kur Lulzim Basha mori pushtetin.  Deri më tani shikoj që nuk mjafton vetëm një flijim…

Po kaloja pranë godinave të Musolinit. Duçja kishte lënë gjurmët e tij kur Zogu u lidh rishtaz me Fashistët. Ata që i gëzonin Tiranës nuk po më linin qetë t’i shikoja veprat e Gherardo Bosios, disa mendonin se ndërtuar tani ishin, disa s’mendonin fare, disa vinin prej katundeve dhe u gëzonin dukje-daljeve, rrobave, lokaleve. Të marrët e marrëzive. Kështu m’u kujtuan regjimet që kalonin para syve, nga perandoria osmane, te pavarësisa, mbretëria, fashizmi, komunizmi, pseudo-demokracia. Kuaj me qerre vitesh për së largu. Rrugët që nuk i ngjajnë aspak Moskës për nga pastërtia po që mbajnë njerëz të etur pas Amerikës, por në thelb të lidhur shumë me bolshevizmin.

Për nga parku Rinia del te Taiwani i Besos që i ka të gjithë shtresat e njerëzve sa poshtë ashtu edhe lart.

Lana që ndan rrugët, dhe provokimi i erës që sjell, përzihet me turmat. Piramida e rilindur, mungojnë vetëm faraonët; ndërsa mendoj se janë të gjallë. Dy kullat e Fidelit më kujtojnë më shumë Singaporin se USA, gjithsesi ngaqë më ka lidhur puna shumë herë aty, që të dyja i kam në preferencë.

Ceremonitë e trishta të protestave që zhvillohen përpara kryeministrisë janë akoma më të trishta kur humbin me erën si polenet, dhe kur harrojnë nga fundi përse janë krijuar. Ndërsa Kryeministria, me portretin e Ismail Bej Vlorës në sallën e parë është gjithashtu me shumë shije. Në këtë godinë, që mileti me gjasë e rrethon, por nuk e shkund, po më kujtohej Kështjella e I.Kadaresë. Përnjeherë, dua të shikoj të ardhmen, por era mirazhsjellëse është me kaq pluhur përreth saqë më verbon. Kam te njëjtin fat të Sadedinit (personazh i Kështjellës) që verbohet që sulmin e parë. Do të rrija aty të shikoja këto turma, por mungon Arkitekt Kauri dhe Saruxhai  (personazhe të Kështjellës). Shikoj vetëm Tursun Bej (Ugurlu Tursun Tunxhasllan Ser Ollgunsoj) i cili falet te Porta e Lartë, por nuk ka ende ferman. “Të duash kështjellën është si të jesh i çmendur pas një vajze, por ajo edhe pse të do, nuk të jepet kollaj. Ajo kërkon të luftosh për të, derisa t’i provosh besnikërinë. Por, pa aprovimin e fatit hyjnor asgjë nuk mund të ndodhë. Tursun Bej mund të kishte shumë kështjella që i merrte, por ai nuk i donte ato. Kërkonte atë që e refuzonte, ajo ishte dashuria e tij”.

Festivale ngjyrash, këngësh, muzikë e përzierë me klimë perëndimore sa dhe stile rock, hippi, dhe era e barit (hashashit) e ndezur që pothuajse të deh.

Me raste e shikoja Kaderenë te Juvenilja. M’u kujtua një frazë e tij kur është pyetur një interviste përse u largua prej Shqipërie, ose më saktë a e kishte tradhëtuar ai vendin e tij?  Logjika e tij e ftohtë: “Se edhe lexuesit kush e di sa herë më kanë tradhëtuar edhe mua”, – ishte tejet e dashur për mua. Ndonjëherë populli i këtushëm më kujton “Duke pritur Godonë Oh ato ditë të bukura” të Samuel Beckett.

Kur u ftua njëherë në Shqipëri Orhan Pamuk, veçanërisht në Berat, ata e pritën me tufa me lule, njerëz, duartrokitje…Pamuk nuk donte këto, realizma të vjetra socialiste të “fanarit ndriçues”… Atyre u përhumbi si era Pamuk gjatë vizitës në Kala, ata nuk po e gjenin. Pamuk ishte ulur në një pijetore pranë ish markatës, me pak njerëz, i panjohur si turist, dhe i pashoqëruar; e pa qytetin ashtu siç ishte lakuriq, e gjithë plagët e tij i pa syve…

Darkave shfaqen lukset, krimi, paratë, vajzat që punojnë veç për format në palestra, shoqërueset, eskortat dhe ato si më normale që po duan të relaksohen më në shikime. Rjetet sociale janë aty duke treguar poza momentale si të kapura “pamendje” të shtiruara, por nga brenda njerëz me shumë dyshime, ankthe dhe të përhumbur e pa drejtim të mejhaneve shqiptare. Pastaj janë këngët ato që relaksojnë dhe Orët (krijesa mitologjike shqiptare). Ndërsa vila në bllok e  Enver Hoxhës ua bën të gjithëve karshi, që sigurimi ende po përgjon.

Tellallet mediatike pastaj shkundin gjithë situatat me gjithë ç’ka ndodh. Ato paralajmërojnë furtuna, arrestime, etj. dhe gjithë kjo “gjasme shije” e pavarur europiane, apo edhe lindore shkrihet menjëherë kur i forti i zonës është arrestuar, kur janë prishur pazaret e drogës dhe gjithë fustanet e shndritshme shndërrohen në funerale moralesh.

Pas smogut më pëlqen zhurma e shirave, tek bien në shtëpitë me rrasa e qerpiç nën tingullin e fortë të varfërisë materiale dhe shpirtërore. Pas Sarajeve të Toptanëve ka dhe pak histori…

5 4 vota
Vlerëso Artikullin
Subscribe
Njoftohuni për
guest
0 Komente
Inline Feedbacks
Shiko të gjitha komentet